18.3.14

Pas plotë 34 vitesh, mbrëmë në Tiranë është prezantuar Trupa e Baletit të Kosovës me shfaqjen “Dasma”, një bashkëpunim Shqiptaro – Turk, nën drejtimin e një nga korreografët më të njohur europian,  Mehmet Balkan nga Turqia.

Poashtu Trupa e Baletit nga Kosova është prezantuar ehde me shfaqjen tjetër nga repertori i saj, “Balloja e fundit”, me korreografi të Ilir Kernin, me ç’rast janë shënuar fillet e tentative të re bashkëpunimi Shqipëri – Kosovë.  

Shfaqja e mbrëmshme e trupës kosovare ishte e para pas plotë 34 vitesh në Tiranë. Atëbotë  Ansambli nga Kosova ishte paraqitur për herë të fundit me shfaqjen “Halili e Hajria”. Që nga ajo periudhë trupës së baletit nga Kosova i ishin mbyllur dyertë e prezantimit për arsye të shumta e të njohura.

Ardhja e Ilir Kernit në krye të Teatrit të Operas e Baletit të Tiranës, ka krijuar shtigje të reja bëshkëpunimi, ka thënë Ahmet Brahimaj, drejtor i trupës nga Kosova. Ai ka lënë të kuptohet se, ndonëse është cilësuar si bashkëpunim reciprok, fakti që Kosova prezantohet për herë të parë pas 34 vitesh është tregues i mjaftueshëm se bashkëpunimi ka egzistuar, por jo në mënyrë të ndërsejllë kur dihet se trupa e Tiranës brenda kësaj periudhe është prezantuar në Prishtinë me 11 premiera, gjë që nuk ka ndodhure edhe anasjelltas.

Brahimaj poashtu ka theksuar se “ky bashkëpunim do t’i shërbejë më së shumti trupës së baletit të Kosovës, ndërkohë që dy Ministritë, ajo e Shqipërisë dhe Kosovës, kanë si synim krijimin e një trupe të përbashkët, rezidente në dy kryeqytetet shqiptare, Tiranë dhe Prishtinë”.

Shfaqja tjetër “Balloja e fundit”, e shfaqur në Teatrin e Operas dhe Baletit, ishte një “tentative plus” për të iniciuar trupën e përbashkët të baletit, sepse kjo shfaqje që vjen me koreografi të Ilir Kernit, ka shkrirë në një të vetme, dy trupat e baleti, atë të Tiranës dhe Prishtinës.

 Balerinët e parë të trupës së Kosovës, kanë thënë se interpretimin në skenën e Tiranës do ta mbajnë mend gjatë. Megjithëse kanë bashkëpunuar me trupa nga e gjithë bota, këtë bashkëpunim ata e kanë cilësuar si të veçantë dhe kanë shfaqur shpresën se do të jenë sërish në Tiranë me projekte të reja bashkëpunimi.


Xh.V.

0 comments:

Post a Comment