6.4.14

E inspiruar nga pamjet që i ka parë në Ballkan, Ruslana Lyzhychko, këngëtarja ukrainase e cila fitoi në Eurovizionin e vitit 2004, ka qëndrim të qartë se kë duhet fajësuar në Ballkan, e po ashtu edhe për fatkeqësinë në Ukrainë dhe thotë se, kur kujton Kosovën dhe e krahason atë me Ukrainën, vjen në përfundimin se nuk duhet mashtruar nga provokimet e politikanëve.

“Mendoj se ekziston vetëm një përfundim – duhet t’i besojmë njëri-tjetrit, ta duam njëri-tjetrin, të mos mashtrohemi nga provokimet e politikanëve të cilët fitojnë nga kjo punë. Në tragjedi njerëzore ata fitojnë para. Kjo ne ukrainasve na bën të njëjtë me ju”, thotë Ruslana në një intervistë për Radion ‘Evropa e Lirë’.

Ruslana njihet edhe për qëndrimin e saj të mëhershëm kundër korrupsionit derisa qëndronte në rreshtat e parë të protestave anti-qeveri në Maiden (sheshi kryesor i Kievit), duke u bërë kështu edhe simbol i anti-korrupsionit në vend.

Këngëtarja thotë se atë që sot e sheh rreth vetes së saj ia kujtojnë pamjet që i ka parë në Kosovë dhe Sarajevë.
“Më kujtohen shenjat e plumbave kur isha në Kosovë dhe në Sarajevë. Nuk mund të besoja se diçka e tillë mund të ndodhë. E sot jemi në Maidan”, thotë Ruslana.
Ruslana thotë se politika është më e rrezikshme se tanket, armët e kallashnikovët.

Në pyetjen se çfarë do t’i thoshte Putinit nëse do ta takonte ndonjëherë, ajo thotë se kjo është edhe ëndrra e saj që t’ia rikujtonte disa fjalë të urta që janë të njohura edhe tek ne.


“Çfarë të mbjellësh, do të korrësh”, dhe tjetrën, “Mos u mundo t’ia bësh gropën dikujt se do të biesh vet në të”.

https://www.youtube.com/watch?v=dX4lXMcasko