4.5.14

Hollivudi - pjesë e Los Anxhelesit - është kryeqyteti botëror i kinematografisë dhe shumë nga ata që aspirojnë të bëhen regjisorë shkojnë atje me shpresën për të hyrë në biznesin e filmit. Mike O'Sullivan, gazetar huluntues dhe korrespodent i “Zëri i Amerikës” ka njoftuar se universitetet rajonale janë gjithashtu një magnet për studentët të cilët shpresojnë të bëhen producentë apo regjisorë.
Studentët në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë në Los Anxheles mësojnë rreth teknikave të përdorura në filmin Avatar të James Cameronit në vitin 2009 dhe filma të tjerë të mëvonshëm.

Studentja e vitit të fundit Ivy Lin, nga provinca Shandong e Kinës, po bën montimet e fundit në filmin e saj projekt. Aty flitet për dallimet  kulturore, për dashurinë dhe gatimet kineze. Ajo thotë se projekti po e përgatit atë për një karrierë në kinematografi:

“Shpresoj të bëhem producente ose të marketoj filma në të ardhmen, veçanërisht mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.”

Ajo grumbulloi fonde përmes internetit për të përfunduar filmin e saj dhe mori ndihmë nga Melinda Pan, studente nga Pekini që kryen produksionin në një projekt të sajin. Ajo thotë se Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë shumë bashkëpunime, siç është filmi Iron-Man 3:

“Mendoj se filmat fantastiko-shkencorë janë ndoshta më popullorët pasi kërkohen shumë aftësi teknike dhe ata janë të kërkuar në Kinë. Por mua vetë më pëlqejnë historitë romantike,” thotë studentja.

Filmi i Panit është historia e ngatërresave kulturore mes një sekseri në Shtetet e Bashkuara dhe një blerësi të vështirë nga Kina. Ajo shpreson të punojë si producente ose regjisore këtu ose në Kinë.
 Profesorja e filmit Bridget Murnane thotë se kolegji u mëson studentëve aftësi të reja në median dixhitale dhe se universiteti shtetëror i Kalifornisë dhe të tjerë në Los Anxheles po tërheqin student të huaj të kinematografisë:
 “Ata duan të bëjnë filma në zemër të vendit të famshëm të kinematografisë që është Los Anxhelesi.”
 Atmosfera ndërkombëtare në kampus është pjesë e joshjes për studentin Nidhin Patel, nga India.
 
“Me miqtë, me kolegët dhe shokët e klasës, kjo është një përvojë tjetër mësimi që të rrit si njeri pasi këtu eksploron të gjitha kulturat," thotë studenti Patel.
 
Ai thotë se kjo ndërlidhje krijuese do ta përgatisë atë për një karrierë në industrinë ndërkombëtare në rritje të filmit./Xh.V.
Se futbolli është sporti më tërheqës dhe zbulimi më i madh epokal i të gjitha kohërave, dhe jo vetëm zbulimeve nga sporti, kjo tanimë dihet. Nuk ka asnjë sport tjetër, madje asnjë ngjarje tjetër që ngërthen aq shumë emocione dhe tubon rreth vetes numër më të madh të interesuarish, përpos, kuptohet, luftrave të përmasave gobale që përbëjnë interesa gjeostrategjike, ekonomike e që zakonisht kanë konotacione politike etj.

Shih për këtë futbolli trajtohet e konsiderohet si zbulimi më i dashur dhe më tërheqës që ka pas ndonjëherë raca njerëzore. Por sesi edhe brendapërbrenda këtij sporti të dashur për njerëzimin ka ngjarje e kuriozitete të panumërta, kjo dosido lidhet me interesimin aq masovik për futbollin. Njëri nga kuriozitete e lojës së futbollit është edhe skuadra e Chelsea-s, e cila vetëm pak kohë më shumë se një dekadë më parë as që mendohej se do të ishte njëra nga skuadrat më të famshme të planetit. Madje as në hap me skuadra angleze si Manchester UTD, Liverpool, Arsenal, madje edhe Nottingham Forest (tani anëtare e kategorisë dytë – Championship), që kishin bërë emër gjatë viteteve tetëdhjeta e nëntëdhjeta kur futbolli botërorë kulmoi me të arrituarat e saj në të katër anët e globit.
A e keni ditur se njëra ndër skuadrat më me emër dhe ndikim sot në futboll, Chelsea, para disa viteve është shitur për rrafsh 1 funtë?!
Ishin vitet e 80-ta, të shekullit të kaluar, kur skuadra nga Londra po kalonte në një krizë të thellë financiare dhe po shkonte drejt shuarjes, sa puna erdhi deri aty se kushdo që donte ta shpëtonte këtë skuadër i lihej në duar pa kurrfarë kompensimi. Ishte viti 1982, kur Kenë Bates, ish president i skuadrave angleze, Oldeham City dhe Ëigan Atletic, bleu Chelsean për hiq më shumë se 1 Funtë. Beates e ndihmoi skuadrën ‘Blu’ që ta kaloi atë gjendje të rëndë financiare dhe pas disa viteve ta bëjë njërën ndër skuadrat më me emër në Premierligën angleze. Vitet më të arta nën udhëheqjen e Beates,Chelsea i pati pas vitit 1995, kur për gjashtë sezonesh të njëpasnjëshme përfundoi në zonën Top 6 të Premierligës, ndërsa në vitin 1999, Chelsea u rendit e treta me vetëm katër pikë më pak se kampioni i atij sezoni, Manchester United.

Drejtimi 21 vjeçar i Chelseas mori fund në vitin 2003, kur skuadrën nga Londra e bleu biznesmeni i njohur rus, Roman Abromovich, për 140 milion Funta. Sot Chelsea nën udhëheqjen e Abramovichit, është njëra ndër skuadrat më të mira në botë.
Tri vite nga vdekja e Ernesto Sabato-s, (24 qershor 1911 – 30 prill 2011)
Sabato urren pleqërinë dhe veset e tij, urren fotografitë, të huajt në shtëpi, intervistat,  gazetarët dhe regjistruesit e tyre, harresën, autografët dhe zhurmën e vendeve publike. Është një tip me humor të keq me një tendencë të fortë skepticizmi… Thonë që nuk ka qenë kështu kur ka qenë i ri, se ka qenë mendjemadh i padurueshëm, krenar dhe që i pëlqente vetja, grindavec dhe i shkëlqyeshëm…
Nga: Olga Wornat

Nuk duhet të ketë qenë aspak e lehtë të jesh Matilde, mendoj me zë të ulët ndërkohë që jam e ulur përballë Ernesto Sabato-s, e vetmja ikonë e gjallë e letërsisë hispanike, i cili me 93 vitet e tij të sapo mbushur, flet i hidhëruar (ose kushedi ndoshta do të më impresionojë mua) mbi fajin që e ndjek ditë e natë për tradhëtitë shkaktuar gruas së tij.
“Mjeshtri” (kështu e quajnë miqtë e tij), më shikon përmes syzeve të mëdha dhe qan. Më trishton të shoh një burrë që qan, dhe më shumë akoma një burrë plak, që mund të ishte gjyshi im. Më vjen dëshira ta përqafoj dhe ta ngushëlloj. “Asnjëherë nuk kam qenë besnik, në realitet ne burrat nuk jemi monogam, unë jo, dhe kështu që e shkreta Matilde vuante me mua… Dhe varfëria e viteve të para, ajo e shkreta i duroi të gjitha pa thënë asgjë.” Për ta lehtësuar pak i them se ka pasur fat me Matilde-n, sepse gra të tjera – unë , mes tyre – në vendin e saj nuk do ta kishin duruar as një sekondë, më të paktën, do kishte marrë ca goditje në kokë ose diçka më keq. Sábato qesh dhe qan në të njëjtën kohë dhe vazhdon të ankohet për vitet e humbura dhe për mungesat. Gjatë bisedës së gjatë që patëm, shpesh fshinte lotët që i rridhnin nëpër faqe. Ata që e njohën mirë Matilde-n më kanë thënë që para se të ishte dërrmuar krejt, shkëlqente me bukuri dhe kishte karakterin e saj të veçantë. Jetoi për Ernesto-n dhe e deshi deri në çmenduri. I dinte aventurat dashurore të burrit të saj, vuajti dhe shumë herë e qortoi për ato që thashethënaxhinjtë vinin dhe i tregonin. Por nuk e braktisi dhe shfaqeshin zhurmshëm së bashku, deri atëherë kur një sëmundje e pashërueshme dhe shkatërruese e lidhi në krevat derisa vdiq. Në shtëpinë e madhe u tret gëzimi. Gjuhët e liga thonë gjithashtu që, pavarësisht martesës së tij të pafat, Sábato nuk mundi t’iu jepte fund impulseve: në shtëpinë ë tij hynë e dolën shumë femra të famshme (disa lumturisht të martuara), të cilave autori i “Sobre héroes y tumbas” (“Mbi heronjtë dhe varret”), i donte pa asnjë paragjykim, në banesën që ndodhej në krahë të vendit ku prehej gruaja e tij.
Në të vërtetë, kur mendoj përsëri për lotët e tij dhe për këto anekdota, nuk di në duhet qarë a qeshur me të. Jeta është një labirint i pamundur, vuajtjet dhe pendimet e saj kanë vlerën e një lamtumire. Të njohësh mjerimet personale është një sinjal dinjiteti, madhështie. Por thonë që hakmarrja është pjatë që shërbehet e ftohtë dhe jam e sigurt që Matilde, kudo që është, e ka përgatitur me kujdes këtë pjesë. Dhe Mjeshtri është i sigurt që e meriton një vuajtje të vogël.
Nuk është Ernesto Sábato shkrimtari im i preferuar, megjithëse disa libra të tij më pëlqejnë shumë. Për shembull, “Abbadón, el exterminador” (“Abbadon, shfarrosësi”) dhe “Sobre héroes y tumbas” (“Mbi heronjtë dhe varret”), por proza e tij pedagogjike nuk e ndriçoi shpirtin tim dhe në personazhet ose tregimet e tij nuk gjej kujtime të gëzimeve apo hijeve të mia. Gjithmonë e kam parë si shumë të zakonshëm dhe të trishtueshëm, e një pjesë e jetës sime ka rrjedhur në një krahinë me egërsi të zhvilluar. Dhe për më tepër, me tunelet e mia kisha trishtim të mjaftueshëm. Nuk ka patur tek unë tërheqjen e Horacio Quiroga, Manuel Puig apo të Jorge Luis Borges dhe të mos flasim pastaj për ajkën e shkrimtarëve latino-amerikanë të viteve shtatëdhjetë apo për klasikët. Edhe pse nuk qe pjellor në prodhimin letrar, Ernesto Sábato e jetoi intensivisht jetën, shkeli ç’mundi por dhe më shumë: mori pjesë në politikë, jetoi atë që i pëlqente ndërkohë që ishte i destinuar për tjetër gjë dhe ishte protagonist i shumë polemikave të zjarrta.
Sabato ishte i dykuptimtë dhe konfuz në kohën e diktaturës
Në këto nivele të gjithë kthehemi më të mirkëputueshëm me disa sjellje, por Sabato ishte i dykuptimtë dhe konfuz në kohën e diktaturës ushtarake. Dhe gjatë viteve ishte e vështirë të pranohej për disa intelektualë duke pasur parasysh prejardhjen e tyre politike të djathtë, ose të qenit, jo një njeri i zakonshëm që mund të argumentonte padijen mbi atë që po ndodhte dhe se cilët qeverisnin Argjentinën në ato vite. Ka fotografi dhe dëshmitarë që e vërtetojnë këtë. Me ardhjen e demokracisë dhe pjesëmarrja e tij antologjike në Gjykatën historike dhe në Juntat Ushtarake, e vendosi përballë kritikëve të tij të pamëshirshëm dhe, gjithashtu, përballë vetvetes. Si mund të harrohet ai shkrim rrënqethës i poshtërsisë. “Kam shumë dashuri për Raul Alfonsín (presidenti argjentinas nga 1983 deri 1989), është njeri shumë i mirë dhe një mik i mirë. Ka qenë presidenti më i mirë që kemi pasur në Argjentinë, është demokrat i madh dhe shumë i kulturuar.” Shihet qartë, Ernesto Sabato urrente pa rezerva Carlos Menem dhe thotë se nëse një ditë Carlos do të kthehet në pushtet, ai “preferon të jetë i vdekur”.
I shëmtuar, i vrazhdë dhe i egër, karizmatik dhe tundues i lindur, ky atribut i fundit është shtuar në raport me anekdotat e treguara nga femrat që e njohën ‘kur jeta dukej se nuk do të mbaronte kurrë’; një macho me shumë të dashura të shpërndara në vende të ndryshme, shkrimtari është hija e asaj që ka qenë. Në perëndim të jetës, duke u dridhur dhe me shikimin e humbur pothuajse nga pabesitë e sëmundjeve dhe tragjedive, kur orët që rrjedhin janë një dhuratë e Zotit apo e kujtdo tjetër, ose thjesht –në historinë e tij– prodhim i gjeneve shekullore të tij shqiptare, i kalon orët duke pikturuar dhe më thotë që ky aktivitet është i vetmi që i intereson, pavarësisht afrimit të vdekjes.
Ernesto Sabato i përket një tjetër shekulli dhe akoma fizikisht nuk duket plak i humbur (është i dobët dhe i fortë), tregon anekdota të Luftës së Dytë Botërore, sikur ngjarja të kishte ndodhur një vit më parë. “Aj, francezët, sa hipokritë, sa idiotë… Unë kam jetuar me ta, çfarë tmerri, sa bashkëpunëtorë të nazistëve që kanë qenë…!”, përsërit herë pas here. Shkon e vjen në të njëjtën temë sikur ta ketë mani ose nganjëherë sikur të ishte makinë kujtese, për ndonjë arsye që unë nuk e di, ai ka jetuar në një rrugë të Parisit të pushtuar dhe në një kthinë në banesën e çiftit Curie, me të cilët ka ndarë ditë të tëra.
Sabato urren pleqërinë dhe veset e tij, fotografitë, të huajt në shtëpi, intervistat, gazetarët dhe regjistruesit e tyre, harresën, autografët dhe zhurmën e vendeve publike. Është një tip me humor të keq me një tendencë të fortë skepticizmi. Në të njëjtën kohë, figura dhe fjalët e tij janë të mbushura me një ëmbëlsi gati familjare.
Sabato i ri dhe gratë e jetës tij
Thonë që nuk ka qenë kështu kur ka qenë i ri, se ka qenë mendjemadh i padurueshëm, krenar dhe që i pëlqente vetja, grindavec dhe i shkëlqyeshëm. Sot përcjell prekshmërinë e një fëmije të pambrojtur. Ndoshta kjo vjen ngaqë kur plakemi gati të gjithë bëhemi si fëmijë. Qesh me përgjigjet e tij dhe me ironitë dashakeqe që lëshon shkujdesur. Dashuron shtëpinë e tij të madhe në Santos Lugares, në periferi të Buenos Aires; rininë; qenin e tij Roque; pemët me ngjyrë të praruar të vjeshtës; heshtjen e mëngjezit; bukurinë e butë femërore; praninë e Elvira-s; ëndrrat (qofshin edhe ankthe); të flas për fëmijërinë e tij, për nënën dhe për të vdekurit e tij të dashur; problemet metafizike; klasikët rus; pikturën dhe udhëtimet. Betohet se sot, në momentet e fundit, e apasionon më shumë të pikturojë se sa të shkruajë dhe duhet ta besojmë, sepse prodhimet e tij në pikturë mbulojnë çdo cep të shtëpisë. Kujton me dashuri dhe faj Matilde-n, gruan dhe nënën e fëmijëve të tij, por flet me pasion, gati me obsesion, për Elvira-n, me të cilën jeton prej shumë vitesh. Kthehem të mendoj dhe të them të njëjtën gjë – duhet të ketë qenë fatale të ishe Matilde, por as Elvira nuk e ka pasur të lehtë. – Ajo është gruaja që duroi, për dashuri, një pjesë të madhe të dështimeve dashurore të Sábato-s dhe ajo që më mirë e njeh. Kanë më shumë se njëzet vjet që janë bashkë.
Elvira González Fraga, elegante, e talentuar dhe e duruar, e dëgjon, dëgjon ankesat e tij dhe ia kupton ekstravagancat. Bisedojnë gjatë, ndërkohë që ecin nëpër rrugët e Santos Lugares dhe udhëtojnë së bashku sa herë që shëndeti i Sábato-s iu lejon. Elvira e adhuron atë dhe flet për jetën e saj me ëmbëlsi dhe me thellësinë e një dashurie të pjekur, kjo e ka bërë që t’i mbijetojë furtunave dhe çmendurive. “Ernesto don që të martohet me mua, më lutet që ta bëjmë, më flet gjithë kohës për martesën dhe unë i them që nuk e di, që ndoshta ndonjë ditë…” thotë ajo, dhe miqtë i kërkojnë që të pranojë, megjithëse paragjykimet e shoqërisë dhe të ambjentit letrar e familjar duken se ndikojnë shumë. Tani për tani, sigurisht.
Shtëpia e Ernesto Sabato-s
Shtëpia e Ernesto Sábato-s është e bukur dhe enigmatike. Katet me ngjyrë të murrme të prishur nga koha na flasin për hapa të dashur dhe të urryer, ndërsa muret ngjyrë sepie janë të mbuluara nga mijëra libra. Ka libra të tijët në gjuhë të ndryshme që shkrimtari i vjetër iu tregon vizitorëve, si një risi, sikur të mos i përkisnin. Ka përkthime në greqisht, rusisht, arabisht dhe në gjuhën kineze. Aty janë botimet e vjetra të El tunel (Tuneli), Sobre héroes y tumbas (Mbi heronjtë dhe varret) dhe Abbadón, el exterminador (Abbadon, shfarosësi), novela e tij e fundit. Gjithashtu ka libra të të tjerëve dhe fotografi në ngjyrë sepie të cilat na kujtojnë kohët e humbura, të lumtura dhe të përmallshme. Në të gjitha anët ka portrete familjare, piktura dhe kujtime të udhëtimeve në vende të largëta.
Mjeshtri proteston për gjithçka. Për lagështirën e vjeshtës në Buenos Aires dhe dhimbjen e kockave të tij, për rrudhat dhe për zhgënjimet e përjetshme të politikës argjentinase, për vonesën e Elvira-s që shkoi për të bërë disa formalitete dhe nuk është kthyer (“Ku është Elvira?”, përsërit shpesh), për praninë time në shtëpi dhe për regjistruesin mbi tavolinë: “Ç’është ky aparat?”. Ndonjë moment, hesht gjatë dhe sytë i humbasin në peizazhin e kopshtit; në çast mendja e tij kthehet: “Nuk e di se çfarë bëni ju këtu, kush ju ka autorizuar që të hyni? Përse hyjnë njerëz në këtë shtëpi, kur e dinë që nuk dua të shoh askënd, përse më bëjnë foto kur jam i shëmtuar dhe plak?”, thotë i bezdisur.
Sabato: “Jam bërë shumë pishman për tradhëtitë e mia”
Në një minutë, ndërron temë dhe fillon të qesh përsëri si një fëmijë përballë një tregimi të fëmijërisë apo dinakërive të rinisë. Dhe femrat, gjithmonë femrat në kujtimet e tij. “Kam qenë një Don Juan i çmendur”. Ende sot elita e letërsisë argjentinase mban të gjalla historitë e tij të bujshme me humor dhe përzemërsi. Asgjë e rëndë përballë bukurisë së tmerrshme të novelave të tij, që do të ngelen në historinë e letërsisë latino-amerikane. Të qenët jetim, fatkeqësinë dhe perversitetin që fitoi nga jeta ai arriti t’iua transemtonte brezave të ndryshëm. Vajza ime adoleshente adhuron Ernesto Sábato-n dhe librat e tij janë në një vend të dukshëm në tavolinën e librave. Tuneli-n e lexoi tre herë, e mahnitur; ndihej pak Alejandra, personazhi kryesor i historisë së dashurisë pa krye.
I fola Sabato-s për famën e tij si jobesnik, e pyeta se çfarë ka të vërtetë dhe sa është pjesa e fantazisë, për nevojën mashkullore për të ushqyer burrërinë. Isha bërë kurioze pasi kisha dëgjuar shumë gjëra. Mjeshtri më pa dhe ia plasi gazit.

- Aj! Ju gratë, të gjitha jeni njësoj… Në fund të fundit, unë duhet të gënjeja. Pyesin dhe pyesin e pyesin për gjithçka. Duan t’i dinë të gjitha, duan të na dominojnë, të na mbajnë nën kamzhik. Atëhere dikujt nuk i ngelet zgjidhje tjetër përveçse të gënjejë. Prandaj edhe unë gënjeja. Ne burrat jemi jo besnik nga natyra, monogamia është një falsitet, nuk ekziston, dhe ju nuk e kuptoni… Çfarë mund t’ju bëjë, nuk më ngelej zgjidhje perveçse të thosha tjetër gjë… Mos më shiko ashtu… Ju lutem, ju jeni të padurueshme nganjëherë. Por di gjithashtu se disa nga ne burrat janë të padurueshëm, të këqij, të pakorrigjueshëm. E shkreta Matilde, sa më ka duruar, sa më ka dashur, çfarë dhimbje!… Më vonë jam bërë shumë pishman për tradhëtitë e mia, por ishte vonë, problemi është se njeriu e bën çdo gjë kur është i ri! zgjodhi për botim: Xh.V.
Paraqitja vizuele e përfaqësueses së Shqipërisë në “Eurosong 2014” që këtë vit mbahet në Kopenhagë të Danimarkës, sot ishte lajmi kryesorë i mediave. Në fakt është bërë publike video-ja me c’rast është thënë se tanimë janë kryer edhe provat përfundimtare të këngës përfaqësuese shqiptare dhe këngëtares, Hersi Matmuja, e cila do të interpretoj versionin anglisht “One Night’s Anger”, përpunim i këngës “Zemrimi i një nate” me të cilën fitoi në edicionin e 52-të të Festivalit të RTSH-së.

Hersi do të qëndrojë mbi një platformë në skenë dhe kënga e saj e kompozuar nga Genti Lako me vargje të Jorgo Papingjit do të jetë pjesë e natës së parë gjysmëfinale, të marten më 6 maj, kurse Hersi do të paraqitet e gjashta me radhë.
“Kjo është prova ime e dytë dhe ndihem e sigurt që cdo gjë do të shkojë mirë”, ka thënë Hersi pak para provës së saj të fundit në vigjilie të netëve finale të festivalit “Eurosong 2014”.
Përpos video-s së këngës që është bërë publike, janë zbuluar edhe pjesë të dekorit të skenës dhe veshjes këngëtares. Merret vesh se do të ketë një dominim të ngjyrës së argjendtë, ideuar nga dizejnatorja kosovare Blerina Rugova, ndërsa gjatë paraqitjes së saj, Hersi do të shoqërohet nga ekrani i madh ku spikatë qielli me re dhe prapaskena me tym. Ajo poashtu do të përcillet në sfond nga dy shoqëruese, ndërkohë që kënga do të zgjasë 3.11 minuta, konform me predispozitat e parapara të festivalit.
Të përkujtojmë se viteve të fundit në skenën e “Eurosong”-ut kanë defiluar emra të shquar të muzikës sonë dhe se prezantimi i vitit të kaluar nga Rona Nishliu ishte paraqitja më ambicioze, e cilësuar si paraqitje e jashtëzakonshme, madje e vlerësuar nga shumë shtete me pikë maksimale.