– Fragmen -”Nga: Liri nga e njohura “
Fjala është falsifikuar dhe molepsur aq shumë, saqë nuk
kam ndonjë dëshirë të madhe ta përdor. Të gjithë flasin për dashurinë – çdo
revistë e çdo gazetë, çdo misionar flet papushim për dashurinë. E dua vendin
tim, e dua mbretin tim, e dua librin, e dua atë mal, e dua kënaqësinë, e dua
gruan, e dua Zotin. Dashuria është një ide? Nëse po, mund të kultivohet,
ushqehet, ledhatohet, urdhërohet me shkop, mund ta trajtojmë, ta duam.
Kur thoni se e duam Zotin, çdo të thotë?
Do të thotë se doni një projeksion të imazhit tuaj, një
projeksion të vetes suaj nën një farë mveshjeje respektueshmërie, varësisht
prej asaj që e besoni si fisnike dhe të shenjtë. Dashuria mund të jetë zgjidhja
e fundme e të gjitha vështirësive, problemeve dhe mundimeve të njeriut.
Pra, si do t’ia bëjmë për të zbuluar se ç’është dashuria?
Duke u mjaftuar me përkufizimin e saj? Kisha e ka
përkufizuar në një mënyrë, shoqëria në një tjetër, e kësisoj ekziston një numër
i madh devijimesh dhe interpretimesh të gabuara. Të adhuruarët e dikujt, të
fjeturët bashkë, shkëmbimi i emocioneve, miqësia – vallë, kjo është ajo që ne
mendojmë se është dashuri?
Dashuria mund të ndahet në të shenjtë dhe në profane, në
njerëzore dhe në hyjnore, apo ekziston vetëm dashuria?
Dashuria i përket ndokujt, dhe jo shumë njerëzve?
Nëse them, “Të dua”, mos vallë kjo e përjashton dashurinë
e tjetrit?
Dashuria është
personale, apo jopersonale?
Morale apo imorale? Është diçka intime, apo jo?
Nëse e doni njerëzimin, a mund ta doni edhe të veçantën.
Dashuria është një ndjenjë?
Është një emocion?
Është kënaqësi?
Është dëshirë?
Të gjitha këto pyetje tregojnë – është apo s’është e
vërtetë?
- që ne kemi ide mbi dashurinë, një ide mbi atë që duhet
e s’duhet të jetë; një model ose një kod të krijuar brenda kulturës në të cilën
jetojmë. Kështu, për të thelluar çështjen se ç’është dashuria, pikësëpari do të
na duhet të çlirohemi nga ndryshku i shekujve, t’i lëmë mënjanë të gjitha
idealet dhe ideologjitë, mbi çka duhet e çka s’duhet të jetë. Të ndarët e
çfarëdo lloj gjëje, në atë që duhet të jetë e në atë që është, përbën mënyrën
më gënjeshtare e të jetuarit. Pra, si do t’ia bëj për të zbuluar se ç’është ajo
flakë që ne e quajmë dashuri - jo për t’ia shprehur ndokujt tjetër, po veç për
të ditur se ç’është ajo në vetvete?
Si punë të parë, më duhet të largoj mënjanë ato që kisha,
shoqëria, prindërit e mi dhe miqtë, ato që çdo person e çdo libër ka thënë mbi
dashurinë, sepse dua ta zbuloj vetë se çfarë është
Qeveria thotë: “Shko e vrit për dashurinë ndaj vendit
tënd”. “A është kjo, dashuri?
Religjioni thotë: “Harroje seksin për dashurinë ndaj
Zotit”. A është kjo, dashuri?
Dashuria është dëshirë? Mos thoni jo.
Për pjesën tonë më të madhe, është – dëshirë e kënaqësi,
kënaqësi që rrjedh nga shqisat, nga tërheqja seksuale e nga kënaqësia. Nuk jam
kundër seksit, por përpiquni të shikoni se si ai është ngatërruar në të. Ajo që
seksi ju jep çastërisht, është braktisje e plotë e vetes suaj. Mandej
riktheheni në konfuzionin tuaj, e kështu, doni ta ripërsërisni e ripërsërisni
atë gjendje në të cilën nuk ka shqetësime, probleme, nuk ka unë.
T’i përkasësh një tjetri, të jesh psikologjikisht i
ushqyer nga një tjetër, të varesh nga një tjetër - në gjithë këtë duhet të jetë
prorë ankthi, frika, xhelozia, faji, e përsa të jetë frika, nuk është dashuria.
Një mendje e ndrydhur nga dhimbja nuk ka për ta ditur kurrë se ç’është
dashuria; sentimentalizmi dhe emotiviteti nuk kanë të bëjnë absolutisht me
dashurinë. E kështu, dashuria nuk ka të bëjë fare me kënaqësinë dhe dëshirën.
Dashuria nuk është një prodhim i mendimit, që është e kaluara. Në mënyrë
absolute, mendimi nuk mundet kurrsesi të kultivojë dashurinë. Dashuria nuk
është e kufizuar apo e kurthëzuar nga xhelozia, meqë xhelozia i përket së shkuarës.
Dashuria është gjithmonë prani aktive. Nuk është “Do të dua” ose “Kam dashur”.
Nëse njihni dashurinë, nuk do të ndiqni askënd - dashuria
nuk bindet. Kur dashuroni, nuk ekziston as respekti, as arroganca. Nuk dini se
ç’do të thotë realisht ta doni dike – ta doni pa urrejtje, pa xhelozi, pa
zemërim, pa ndërhyrë në atë që tjetri bën apo mendon, pa dënuar, pa bërë
krahasime – nuk dini çfarë do të thotë? Ku ka dashuri, ka krahasim? Kur
dashuroni dikë me gjithë zemër, me të gjithë mendjen, me gjithë trupin, me të
gjithë qenien tuaj, egziston krahasimi? Nëse e dorëzoni veten krejtësisht në
këtë dashuri, atëherë nuk egziston tjetri. Ndoshta dashuria ka përgjegjësitë
dhe detyrimet e veta, dhe i përdor ato? Kur bëni diçka përtej detyrimit, a ka
dashuri? Në detyrimin nuk ka dashuri. Struktura e detyrimeve, në të cilat qenia
njerëzore ka rënë në kurth, shkon duke e shkatërruar. Përsa kohë që jeni të
detyruar të bëni diçka, thjesht sepse është detyra juaj, nuk e doni atë që
bëni. Kur është dashuria, nuk është detyrimi apo përgjegjësia.
Nëse i jepni rëndësi, do të vëreni se e gjithë kjo ndodh
brënda jush. Mund ta vëreni në mënyrë të plotë, krejtësisht, me një vështrim,
pa humbur kohë me analiza. Brënda një çasti, mund të vëreni strukturën e tërë
dhe natyrën e kësaj gjëje të vogël e të pavlerë, që quhet “unë”, lotët e mi,
familja ime, kombi im, besimi im, religjioni im – të gjitha këto pisllëqe janë
brenda jush. Kur ta kuptoni këtë me zemër, me mendje, kur ta kuptoni që nga
thellësia e zemrës, atëherë do të keni çelësin që mund t’i japë fund dhimbjes.
Kur të pyesni se ç’është dashuria, do mund të jeni tepër
të trembur për të parë përgjigjen. Ajo mund të ketë domethënien e një ndryshimi
rrënjësor; do mund ta thërrmojë familjen; do mund të zbulonit se nuk e doni
gruan tuaj, burrin tuaj ose fëmijët tuaj – apo jo? – do mund t’iu duhet të
shkatërroni shtëpinë që keni ndërtuar, me gjasë s’do mund të ktheheshit më në
tempull. Por, nëse ende doni ta zbuloni, do të shihni se frika nuk është
dashuri, se varësia nuk është dashuri,se ndjenja e pronësisë dhe dëshira e
mbizotërimit nuk janë dashuri, se përgjegjësia dhe detyrimi nuk janë dashuri,
se vetëmëshirimi nuk është dashuri, se ankthi i të mos qenit i dashur prej
tjetrit nuk është dashuri. Dashuria nuk është e kundërta e urrejtjes, më shumë
nga ç’është përunjësia e kundërta e vanitetit.
E kështu, kemi arritur në pikën: a mundet mendja të
takojë dashurinë, pa e patur nevojën e disiplinës, mendimit, mundimit, pa pasur
asnjë libër, mjeshtër apo udhërrëfyes – ta takojë ashtu siç takohet një
perëndim i bukur?
Një mendje që kërkon, nuk është mendje e pasionuar, dhe
ta takosh dashurinë pa e kërkuar, është e vetmja mënyrë për ta gjetur- ta
takojmë pa e ditur, e jo si rezultat i një përpjekjeje apo i një përvoje. Do
zbuloni se kjo dashuri nuk i përket kohës, se kjo dashuri, qoftë personale ose
jopersonale, i përket si njërit ashtu edhe shumicës.Krejt si një lule
kundërmuese, së cilës ju mund t’i merrni erë, ose të mos e vini re fare. Ajo
lule është aty për këdo, edhe për atë që nuk merr mundimin t’i marrë erë
thellësisht e ta vështrojë me kënaqësi. Qoftë ai shumë afër kopshtit apo shumë
larg, për lulen është e njëjta gjë; duke qenë e pasur me kundërmim, ajo ua
shpërndan atë të gjithëve. Dashuria është diçka e re, e freskët, e gjallë. Ajo
nuk ka dje e as sot. Gjendet përtej çdo lloj konfuzioni mendimesh. Vetëm mendja
e pafajshme e di se ç’është dashuria, dhe mendja e pafajshme mund të të jetojë
në botën që e pafajshme nuk është. Është e mundur ta zbulojmë këtë gjë të
jashtëzakonshme, të cilën njeriu ka kërkuar përjetësisht, në vetëflijim, në
adhurim, në marrëdhënie, në seks, në çfarëdolloj forme kënaqësie e dhimbjeje,
vetëm kur mendimi arrin të kuptojë veten e të mbërrijë natyrisht në fund.
Mund t’i lexoni këto fjalë hipnotizuese dhe ngashnjyese,
por të shkosh realisht përtej mendimit dhe kohës – pra të shkosh përtej
dhimbjes - do të thotë se egziston një tjetër përmasë e quajtur dashuri. Por ju
nuk dini të arrini në atë burim të jashtëzakonshëm – pra si do t’ia bëni? Nëse
nuk dini çfarë të bëni, mos bëni asgjë – apo jo? Absolutisht asgjë. Atëherë. Në
intimitetin tuaj, ju do të gjendeni në heshtjen më të plotë. E kuptoni se ç’do
të thotë? Do të thotë se nuk kërkoni, nuk doni, nuk shkoni në kërkim të
diçkaje; nuk ekziston absolutisht një qendër. Atëherë ekziston dashuria.
“Një shkrim i shkëputur nga “Liri nga e njohura”, autori
Jiddu Krishnamurti, shkrimtar dhe orator i teorive filozofike spiritualiste,
revolucionit psikologjik, natyrës se mendjes, të menduarit, marrëdhëniet e
njeriut duke sjellë ndryshime pozitive në shoqëri. Thekson nevojën për një
revolucion në psikologjinë e çdo njeriu dhe thekson se revolucion i tillë nuk
mund të jetë shkaktuar nga ndonjë entitet i jashtëm, qoftë ajo fetare, politike
apo sociale, por nga vetë energjia e brendshme e njeriut.
“Nje shkrim i shkeputur nga “Liri nga e njohura”, autori Jiddu Krishnamurti, shkrimtar dhe orator i teorive filozofike spiritualiste, revolucionit psikologjik, natyrës se mendjes, të menduarit, marrëdhëniet e njeriut duke sjellë ndryshime pozitive në shoqëri. Thekson nevojën për një revolucion në psikologjinë e çdo njeriu dhe thekson se revolucion i tillë nuk mund të jetë shkaktuar nga ndonjë entitet i jashtëm, qoftë ajo fetare, politike apo sociale, por nga vete energjia e brendshme e njeriut. “