4.5.14

Paraqitja vizuele e përfaqësueses së Shqipërisë në “Eurosong 2014” që këtë vit mbahet në Kopenhagë të Danimarkës, sot ishte lajmi kryesorë i mediave. Në fakt është bërë publike video-ja me c’rast është thënë se tanimë janë kryer edhe provat përfundimtare të këngës përfaqësuese shqiptare dhe këngëtares, Hersi Matmuja, e cila do të interpretoj versionin anglisht “One Night’s Anger”, përpunim i këngës “Zemrimi i një nate” me të cilën fitoi në edicionin e 52-të të Festivalit të RTSH-së.

Hersi do të qëndrojë mbi një platformë në skenë dhe kënga e saj e kompozuar nga Genti Lako me vargje të Jorgo Papingjit do të jetë pjesë e natës së parë gjysmëfinale, të marten më 6 maj, kurse Hersi do të paraqitet e gjashta me radhë.
“Kjo është prova ime e dytë dhe ndihem e sigurt që cdo gjë do të shkojë mirë”, ka thënë Hersi pak para provës së saj të fundit në vigjilie të netëve finale të festivalit “Eurosong 2014”.
Përpos video-s së këngës që është bërë publike, janë zbuluar edhe pjesë të dekorit të skenës dhe veshjes këngëtares. Merret vesh se do të ketë një dominim të ngjyrës së argjendtë, ideuar nga dizejnatorja kosovare Blerina Rugova, ndërsa gjatë paraqitjes së saj, Hersi do të shoqërohet nga ekrani i madh ku spikatë qielli me re dhe prapaskena me tym. Ajo poashtu do të përcillet në sfond nga dy shoqëruese, ndërkohë që kënga do të zgjasë 3.11 minuta, konform me predispozitat e parapara të festivalit.
Të përkujtojmë se viteve të fundit në skenën e “Eurosong”-ut kanë defiluar emra të shquar të muzikës sonë dhe se prezantimi i vitit të kaluar nga Rona Nishliu ishte paraqitja më ambicioze, e cilësuar si paraqitje e jashtëzakonshme, madje e vlerësuar nga shumë shtete me pikë maksimale.

0 comments:

Post a Comment