21.3.14



Lermë t'u marr erë, të thith thellë, pafundësisht, aromën e flokëve të tu, 
të zhys në to krejt fytyrën si në ujët e një burimi të kristalte, e pastaj,  me gishtat e mi t'i shushpuris ato 
si një shami erëmirë që shpërndan kujtime të ëmbla në eter. Ah, sikur ti të mund të imagjinoje gjith'ato që unë shoh, gjith'ato që ndjej, gjith'ato që dëgjoj në flokët e tu! Shpirti im lundron mbi parfume si shpirti i të tjerëve në muzikë... I zhytur mes flokëve të tu, shoh një ëndërr plot anije, vela e direke të cilët musonet 
i shtyjnë drejt klimash të mrekullueshme, mes detrash pafund, aty ku qielli është tepër blu e deti shumë i thellë, aty ku thithet ajër i parfumuar nga aroma e frutave, barit e lëkurës njerëzore. Ja, në oqeanin e flokëve të tu shoh një port plot dallgë këngësh melankolike, me njerëz të fortë 
racash të ndryshme e plot anije lloj-llojesh të cilat lartojnë arkitekturat 
e tyre të përkryera nenë një qiell të pafund ku prehët një ngrohtësi e 
përjetshme. Duke ledhatuar flokët e tu, ndjej ofshamat e lëngatat e 
dikurshme, të përjetuara shtirë mbi një divan, në dhomëzën e një 
anije të bukur përkundur nga valët e lehta të molos; aty mes vazo 
lulesh e amforash freskuese. Mes vatrës së zjarrtë të flokëve të tu, 
tani thith aromë duhani ekzotik përzier me opium e kallam sheqeri e, 
ndërkohë, në natën e flokëve të tu, më shfaqet shkëlqimi i pafund i 
kaltërsive tropikale; mbi brigjet e kadifenjta të flokëve të tu mbushem 
plot aroma ku ndjej përzier bashkë: bitum, myshk e vaj kokoje. Ah, lermë 
të kafshoj flokët e tu ! Kur fus gojën mes masës së tyre elastike e rebele, 
më duket se shijoj kujtimet më të ëmbla!...

Charles Baudelaire
Ka të ngjarë që ndonjëri mund të ketë planifikuar takim pune mbrëmjen e së dielës, vizitë tek të afërmit ose mbrëmje në kafe me miqtë!
Jemi qenie humane dhe harrojmë e ngatërrohemi me data, prandaj që tani është koha të anulohen takimet eventuale të aranzhuara më parë; vizitat e paralajmëruara tek të afërmit, ose daljen për t’u argëtuar në lokale. Kolegët afaristë, të afërmit apo edhe miqtë s’ka se si të mos iu kuptojnë. Edhe ata mund të jenë ngatërruar me kohën deri në atë masë sa të kenë harruar!  Është “El Classico 2014”, ka arsye të mjaftueshme për t’i anuluar me kohë pasi ka ende kohë!
Nuk dihet saktësisht, madje as përafërsisht se cili është numri i shikuesve që përcjell zakonisht ndeshjen më spektakulare në botë, ngjarjen e planetit për të cilën flitet, përflitet e pritet me padurim, madje disa muaj para se të ndodhë; përballjen e dy skuadrave gjigante të sportit më të popullarizuar, futbollit, të njohur si “El Classico”, ndeshja Real Madrid - Barcelona, por besohet se janë qindra miliona, mbase edhe miliarda shikues në katër anët e rruzullit, në të gjitha kontinentet, ashtu sic do të jenë të dielën më 23 mars në “Santiago Bernabeu” - Madrid!
Vëmendja është e drejtuar prej kohësh tek dyshet sulmuese Ronaldo – Bale në njërën anë dhe Messi - Naymar në anën tjetër, të cilët pritet të shkrijnë tërë potencialin për të nxjerrë rezultate pozitive për ekipet e tyre.
Ka kohë që menagjerët e dy skuadrave kanë filluar përgatitjet për këtë ndeshje dhe pritet që të startojnë me formacionet më të mira që kanë në dispozicion pasi kjo ndeshje vendos fatin e kampionatit sa i përket titullit të kampionit. Barcelona si mysafire nuk ka cfarë të humbas, prandaj pritet të atakojë me tërë potencialin që ka në dispozicion. Në anën tjetër Reali nuk do t’I lejojë vetes luksin e tepruar sa të rrezikojë arritjet mbresëlënëse të këtij edicioni.
Dy menagjerët, Carlo Anceloti dhe Gerardo Martino nuk kanë ndonjë problem me përbërjet e skuadrave prandaj pritet të aktivizojnë njëmbëdhjetëshet më të mira.

Statistikat e ndeshjeve të fundit Real Madrid - Barcelona: 

La Liga - 26 tetor 2013, Barcelona 2-1 Real Madrid,
La Liga - 2 mars 2013, Real Madrid 2-1 Barcelona
CDR -     26 shkurt 2013, Barcelona 1-3 Real Madrid
CDR -     30 janar 2013, Real Madrid 1-1 Barcelona,
La Liga - 7 tetor 2012, Barcelona 2-2 Real Madrid 

Formacioni i mundshëm i Real Madridit: 
Lopez; Carvajal, Pepe, Ramos, Marcelo, Modric, Alonso, Di Maria, Bale, Benzema, Ronaldo 

Formacioni i mundshëm i Barcelonës: 
Valdes; Alves, Pique, Mascherano, Alba; Xavi, Busquets, Iniesta; Sanchez, Messi, Neymar 

Lojtarët me më së shumti paraqitje të të gjitha kohërave në “El Classico”
Manuel Sanchís, lojtar i Real Madridit 43 paraqitje. 
Francisco Gento, lojtar i Real Madridit 42 paraqitje. 
Xavi Hernández, lojtar i Barcelonës 38 paraqitje (Lojtar aktiv). 
Fernando Hierro, lojtar i Real Madridit 37 paraqitje. 
Raul Gonzalez, lojtar i Real Madridit 37 paraqitje. 
Iker Casillas, lojtar i Real Madridit 34 paraqitje (lojtar aktiv). 

Carles Puyol, lojtar i Barcelonës 32 paraqitje.(lojtar aktiv) 

Xh. Veseli