27.4.14

Kam bërë seks mbrëmë me një poet të famshëm. Por kur u ktheva në brinjë dhe pashë veten time pranë tij, u drodha… Sepse unë isha e martuar me dikë tjetër, sepse unë nuk duhej të kisha pirë, sepse rrija shtrirë në dhomën e një hoteli elegant e të panjohur. Mund të kisha thënë që në fillim se kjo ishte një ëndërr, por kohët e fundit një miku im më pat thënë: shkruaje një ëndërr
Dhe humba një lexues. Dhe unë s’desha të të humbisja ty përnjëherë. Doja të dëgjoje që madje as në ëndërr s’e pëlqeva poetin, se ai ka katër fëmijë. Më i riu në moshën time. Se fare nuk m’u duk tërheqës, se jam takuar me të vetëm një herë, dhe kjo ka qenë prej vërteti, por ishim në një grup të madh dhe unë s’arrita as t’i flisja.
Të vërtetën them, ma shpifi me batutat c’vlerësuese për gratë, Madje përdori fjalën “Jap” që unë e morra direkt si një fyerje për burrin tim aziatik.
Në takimet tona të para, një herë i kam thënë tim shoqi: “Ti po flinje nëpër gjumë mbrëmë natën dhe unë ndenja zgjua, që të sigurohesha që s’do përmendje emrin e ndonjë tjetre.”
Burri im i ardhshëm u përgjigj duke thënë se asfare nuk mbante përgjegjësi për subkoshiencën e tij, gjë që mua më trembi, më bëri të mendoj se ëndërrat e tij ishin plotë me biondina seksi, të veshura me bikini e pupla roze, por ai tha: Jo. Më së shumti ai shihte ëndërra për shkëmbinjtë, oqeanet, vullkanet, ose motin e rrezikshëm që thjeshtë mund ta dëshmonte si të tillë, pa bërë dot asgjë për ta ndaluar. Atëherë fola: Unë shoh ëndrra vetëm për ty që ish një gënjeshtër budallaqe dhe romantike. Por kurrë s’kisha menduar se do ëndërroja një tjetër burrë –
Im shoq dhe unë madje as që jemi zënë ndonjëher. Netëve, koka ime aq ëmbël hyn nën sqetullat e tij, krahu im rreth barkut të tij, që ulet e ngrihet gjithë natën, butësisht, si valë liqeni…
Sikur unë ta kisha ndeshur në rrugë poetin e famshëm, ai do kish bërë tutje, i famshëm në syzat e errëta të diellit dhe xhaketën me copa lëkure në bërryla, pa i hedhur sytë qoftë edhe rastësisht mbi mua.
Ndoshta po të bren kurreshtja për emrin e tij, por dije se cfarë kam lënë pa thënë nuk është e vërtetë, e kam tjetërsuar kaq shumë identitetin e tij që ti të mos kesh rast e ta thuash: vë bast se është ai… Në fakt ti rrallë i fiton bastet, por dhe nëse ndodhë, nuk dua të përflas dhe ta bëzdis një të panjohur që gjithsesi mund të jetë njeri i mirë.
Ndoshta ajo ditë kur jemi takuar, mund të ketë qenë për të nga më të kqiat, a kushedi ndihej i lodhur nga fama e tij, që mua dhe tim shoqi na duket gjigante.
Por sa e madhe mund të jetë fama e nje poeti amerikan në të vërtetë, le të themi, krahasuar me atë të një ylli Rock-u apo regjisori filmi me talent të barabartë?
Jo aq e madhe. Dhe ai, poeti i famshëm e di këtë. E di se cka në të vërtetë ai meriton s’do t’i jepet kurrë. E di që shumë nga këta poetë të rinjë që e tërheqin mëngësh, thjesht shtiren se ia kanë lexuar të gjitha librat. Megjithatë ai buzëqesh, dhe përpiqet t’u ndihmojë.
Fundja, ky poet duhet të ketë ndonjë cilësi që ia vlenë, apo jo? Si për shembull, shkruan jambe të paturpshme e skandaloze.
Përndryshe, c’kërkoja unë në krahët e tij…?

Denise Duhamel

0 comments:

Post a Comment