27.3.14

Shumësi i fjalëve teatër e kuadër nuk do të jetë te atro e kuadro por teatra e kuadra. Ky ka qenë një ndër vendimet e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe në mbledhjen e fundit, mbajtur në Prishtinë më 14 mars. Përmes një njoftimi, kryesia e këshillit që përbëhet nga akademikë të Prishtinës e Tiranës, ka njoftuar vendimet e saj më të fundit, që për shkak se nuk janë të zbatueshme mbasi nuk dalin dot mbi vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit (1972), quhen përfundime. 

Mbledhja u mbajt nën drejtimin e akad. Rexhep Ismajlit dhe akad. Jani Thomait (bashkëkryetarë), me pjesëmarrjen e akad. Besim Bokshit, akad. Ethem Likajt, akad. Kolec Topallit, akad. Gjovalin Shkurtajt, prof. dr. Shezai Rrokajt, prof. dr. Mehmet Çelikut, prof. dr. Seit Mansakut, prof. dr. Enver Hysës, prof. dr. Tomor Osmanit, prof. dr. Imri Badallajt, prof. dr. Shefkije Islamajt, ligjërues Isa Bajçincës, prof. dr. Bardh Rugovës, prof. dr. Rrahman Paçarrizit dhe prof. dr. Abdullah Zymberit. 
Sipas njoftimit, diskutimet janë zhvilluar në tri seanca e nëse në fillim u shqyrtuan disa çështje të drejtshkrimit që kishin mbetur pa u diskutuar në mbledhjet e mëparshme, më vonë u fol për çështje të tjera të morfologjisë. Më poshtë, disa prej vendimeve. 
Shkronja e madhe 
Sa i takon përdorimit të shkronjës së madhe dhe drejtshkrimit të emrave të vendeve u propozuan këto përfundime: Emërtimet e institucioneve e të titullarëve të institucioneve, kur paraqesin nomenklaturë zyrtare, të shkruhen me shkronjë të madhe. 
Ndërkaq, sa i takon shkrimit të toponimeve vendëse, sipas akademikëve, duhet të respektohet forma e emërtimit vendës, si dhe të shmangen variacionet fonetike nëndialektore (p.sh. Lushnje), ndërsa emrat e vendeve në harta dhe në shenja rrugore të shënohen në trajtën e shquar, ndryshe nga ç'bëhet tani. Në hartë shkruhet Tiranë, Shkodër, Elbasan, dhe sipas vendimit duhet të bëhet Tirana, Shkodra, Elbasani. 
Tek emrat gjeografikë me dy a më shumë gjymtyrë (liqeni i Shkodrës) do të shkruhet me të madhe secila nga fjalët, ndërsa deri tani liqeni shkruhej me të madhe vetëm nëse ishte në fillim të fjalisë dhe jo në mes të saj. 
Drejtshkrimi 
Në fushën e drejtshkrimit akademikët kanë propozuar që të saktësohet edhe drejtshkrimi i disa fjalëve të tjera, që janë diskutuar edhe më herët. Sipas vendimit të fundit do të vijohet në këtë mënyrë: 
Tek emrat me fundjen -një e -nje të mbeten në përdorim të lirë të dyja variantet (foshnje/foshnjë, vishnje/vishnjë etj.); Etnikët me prejardhje nga gjuha shqipe të shkruhen me prapashtesën -j- (-jan):(matjan, lezhjan), ndërsa etnikët me prejardhje të huaj, që në temë kanë -i-, të vijojnë të shkruhen me -ian (bolivian)
Ndërkaq, fjalët me prejardhje të huaj, që i takojnë terminologjisë tekniko-shkencore, të ruajnë shkrimin me -ie (materie); fjalët e tipit tramvaj, hokej, koktej etj. të shkruhen me -j, ndërsa fjalët angjin dhe gjips të shkruhen me g: anginë dhe gips. 
Shumësat 
Sa i takon fushës së morfologjisë, propozimet janë bërë për disa fjalë e raste të veçanta. Përfundimet e akademikëve, po i vëmë të plota: Shumësi i emrave të tipit teatër, kabllo, kuadër, të bëhet teatra, kablla, kuadra, rrjedhimisht njëjësi: teatër, kabëll, kuadër; shumësi i emrit xham të mbetet xhama; të ngrihen në normë ngjashëm me pus - pusa (si variant i lirë me trajtën pus - puse), stof - stofra, grusht - grushta/grushte, çengel - çengelë/çengela, gisht - gishta/gishtërinj; shumësi antigaz të jetëantigaze/antigazra, fishekzjarr - fishekzjarre; të ruhen të dy trajtat për autobus - autobusë/autobusa, ftiziatër - ftiziatër/ftiziatra, drapër - drapra/draprinj, barbun - barbunj/barbunë
Po ashtu, trajtat e mbiemrit i shkurtër dhe i shkurtë të mbeten variante të lira në të dyja format, propozojnë akademikët gjuhëtarë, ashtu sikundër propozojnë që tek foljet e tipit ik, ec, hip, në vetën e dytë e të tretë të njëjësit të hiqet mbaresa -ën dhe të bëhen pra: ai ik, ai hip, ai ec dhe jo ai ikën, hipën, ecën. 

Ndajfoljet me prapashtesa -as/-azi të tipit barkas/barkazi, haptas /haptazi etj. të jenë në përdorim të lirë.
Në fund, u propozua që për mbledhjen e radhës të merren në shqyrtim materialet e përgatitura nga grupet për çështje të sintaksës dhe njëherësh u kërkua nga grupet që për çështje të gjuhës në shkollë të bëjnë gati për diskutim propozimet e tyre

0 comments:

Post a Comment