17.3.14

TIRANË - Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se ndryshimi i emrit të Teatrit të Komedisë në Teatrin “Kujtim Spahivogli” është një nismë që synon fuqizimin e këtij institucioni të kulturës shqiptare.

Më anë të një njoftimi për shtyp, Ministria e Kulturës, thekson se “Propozimi për ndryshimin e emrit të skenës që sot quhet Teatri Kombëtar i Komedise,  nuk synon në asnjë rast dhe në asnjë formë mbylljen e kësaj skene. Përkundrazi! Ndryshimi i emërtesës në “Teatër Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në të kundërt nga kufizimi i sotëm, vetëm në një gjini teatrale, synon  hapjen e kësaj skene për të gjitha format e artit skenik, për të gjitha rrymat e tendencat, për të gjitha performancat skenike, që mund të vijnë nga profesionistët dhe subjektet e lira artistike, duke u dhënë prioritet të rinjve, por pa penguar asnjë artist të eksperimentojë idetë e format e ndryshme te shprehjes artistike, pa kufizime”.
Deklarata e Ministrisë së Kulturës bëhet pas disa debateve të hapura në media, ku rreket të theksohet se Teatri i Komedisë do të humbë identitetin e tij.
Në deklaratën e saj, Ministria e Kulturës, duke argumentuar nismën për të zgjeruar gamën e këtij institucioni, thekson se “dëshira për një hapje të tillë, për të rritur aksesin e të rinjve në skenë dhe për të inkurajuar çdo lloj forme të artit skenik është shprehur në të gjitha debatet dhe komunikimet publike të komunitetit artistik. Kjo është filozofia që përkthehet në këtë emërtese të re. Madje ,Minstria e ka rritur buxhetin e ketij institucioni për vitin 2014 krahasuar me vitin 2013. Ndërsa emri i Kujtim Spahivoglit ,si një martir i teatrit shqiptar që u ekzekutua nga diktatura, sepse guxoi të eksperimentonte idetë e tij liberale, është nder për çdo artist që do të ngjitet në atë skenë”.

Sipas Ministrisë së Kulturës: “Çdo zhurmë, deformim informacioni, rrekje për kufizime,  apo aludim për mbyllje teatri, apo për prapaskena politike është spekulim i pastër! Skenat nuk janë as majtas as djathtas, ato janë vetëm të artistëve”. 







Aktorët Robert Ndrenika dhe Viktor Zhusti, gjatë një shfaqeje

0 comments:

Post a Comment