Shumësi i fjalëve teatër e kuadër nuk do të jetë te atro e
kuadro por teatra e kuadra. Ky ka qenë një ndër vendimet e Këshillit
Ndërakademik për Gjuhën Shqipe në mbledhjen e fundit, mbajtur në Prishtinë më
14 mars. Përmes një njoftimi, kryesia e këshillit që përbëhet nga
akademikë të Prishtinës e Tiranës, ka njoftuar vendimet e saj më të fundit, që
për shkak se nuk janë të zbatueshme mbasi nuk dalin dot mbi vendimet e
Kongresit të Drejtshkrimit (1972), quhen përfundime.
Mbledhja u mbajt nën drejtimin e akad. Rexhep Ismajlit dhe akad.
Jani Thomait (bashkëkryetarë), me pjesëmarrjen e akad. Besim Bokshit, akad.
Ethem Likajt, akad. Kolec Topallit, akad. Gjovalin Shkurtajt, prof. dr. Shezai
Rrokajt, prof. dr. Mehmet Çelikut, prof. dr. Seit Mansakut, prof. dr. Enver
Hysës, prof. dr. Tomor Osmanit, prof. dr. Imri Badallajt, prof. dr. Shefkije
Islamajt, ligjërues Isa Bajçincës, prof. dr. Bardh Rugovës, prof. dr. Rrahman
Paçarrizit dhe prof. dr. Abdullah Zymberit.
Sipas njoftimit, diskutimet janë zhvilluar në tri seanca e nëse
në fillim u shqyrtuan disa çështje të drejtshkrimit që kishin mbetur pa u
diskutuar në mbledhjet e mëparshme, më vonë u fol për çështje të tjera të
morfologjisë. Më poshtë, disa prej vendimeve.
Shkronja e madhe
Sa i takon përdorimit të shkronjës së madhe dhe drejtshkrimit të
emrave të vendeve u propozuan këto përfundime: Emërtimet e institucioneve e të
titullarëve të institucioneve, kur paraqesin nomenklaturë zyrtare, të shkruhen
me shkronjë të madhe.
Ndërkaq, sa i takon shkrimit të toponimeve vendëse, sipas
akademikëve, duhet të respektohet forma e emërtimit vendës, si dhe të shmangen
variacionet fonetike nëndialektore (p.sh. Lushnje), ndërsa
emrat e vendeve në harta dhe në shenja rrugore të shënohen në trajtën e shquar,
ndryshe nga ç'bëhet tani. Në hartë shkruhet Tiranë, Shkodër, Elbasan, dhe sipas
vendimit duhet të bëhet Tirana, Shkodra, Elbasani.
Tek emrat gjeografikë me dy a më shumë gjymtyrë (liqeni
i Shkodrës) do të
shkruhet me të madhe secila nga fjalët, ndërsa deri tani liqeni shkruhej me të
madhe vetëm nëse ishte në fillim të fjalisë dhe jo në mes të saj.
Drejtshkrimi
Në fushën e drejtshkrimit akademikët kanë propozuar që të
saktësohet edhe drejtshkrimi i disa fjalëve të tjera, që janë diskutuar edhe më
herët. Sipas vendimit të fundit do të vijohet në këtë mënyrë:
Tek emrat me fundjen -një e -nje të mbeten në përdorim të lirë
të dyja variantet (foshnje/foshnjë, vishnje/vishnjë
etj.); Etnikët me prejardhje nga gjuha shqipe të shkruhen me
prapashtesën -j- (-jan):(matjan,
lezhjan), ndërsa etnikët me prejardhje të huaj, që në temë kanë
-i-, të vijojnë të shkruhen me -ian (bolivian).
Ndërkaq, fjalët me prejardhje të huaj, që i takojnë
terminologjisë tekniko-shkencore, të ruajnë shkrimin me -ie (materie); fjalët e
tipit tramvaj, hokej, koktej etj. të shkruhen me -j, ndërsa fjalët angjin dhe
gjips të shkruhen me g: anginë dhe gips.
Shumësat
Sa i takon fushës së morfologjisë, propozimet janë bërë për disa
fjalë e raste të veçanta. Përfundimet e akademikëve, po i vëmë të plota: Shumësi
i emrave të tipit teatër, kabllo, kuadër, të bëhet teatra, kablla, kuadra,
rrjedhimisht njëjësi: teatër, kabëll, kuadër; shumësi i emrit xham të mbetet
xhama; të ngrihen në normë ngjashëm me pus - pusa (si variant i lirë me
trajtën pus - puse), stof - stofra, grusht - grushta/grushte, çengel -
çengelë/çengela, gisht - gishta/gishtërinj; shumësi antigaz të jetëantigaze/antigazra, fishekzjarr -
fishekzjarre; të ruhen të dy trajtat për autobus
- autobusë/autobusa, ftiziatër - ftiziatër/ftiziatra, drapër - drapra/draprinj,
barbun - barbunj/barbunë.
Po ashtu, trajtat e mbiemrit i shkurtër dhe i shkurtë të mbeten
variante të lira në të dyja format, propozojnë akademikët gjuhëtarë, ashtu
sikundër propozojnë që tek foljet e tipit ik, ec, hip, në vetën e dytë e të tretë të njëjësit
të hiqet mbaresa -ën dhe të bëhen pra: ai ik, ai hip, ai ec dhe jo ai ikën,
hipën, ecën.
Ndajfoljet me prapashtesa -as/-azi të tipit barkas/barkazi,
haptas /haptazi etj. të jenë në përdorim të lirë.
Në fund, u propozua që për mbledhjen e radhës të merren në shqyrtim materialet e përgatitura nga grupet për çështje të sintaksës dhe njëherësh u kërkua nga grupet që për çështje të gjuhës në shkollë të bëjnë gati për diskutim propozimet e tyre
Në fund, u propozua që për mbledhjen e radhës të merren në shqyrtim materialet e përgatitura nga grupet për çështje të sintaksës dhe njëherësh u kërkua nga grupet që për çështje të gjuhës në shkollë të bëjnë gati për diskutim propozimet e tyre
0 comments:
Post a Comment